Description
E la veten që ta dashuronte, kur gjëja e vetme që duhej të kishte bërë ishte të vraponte prej tij. *** Vështroi detin me dallgë, pastaj diellin që ishte fshehur gjysmë pas reve. Qielli i bronxtë po çahej prej shiut, po lotonte. Ishin lot vetmie, lot të poshtër malli. Mori frymë thellë, mbushi mushkëritë me ajrin që e vriste ngadalë, se çdo frymëmarrje i kujtonte atë që kishte humbur. - Dashuria është si kjo që sheh. E bukur, ka diellin e saj më të shndritshëm, ka edhe shiun më të fortë, dallgët më të ashpra. Dashuria është katastrofë kur s'e jeton siç duhet, një sëmundje e fortë, që edhe pse largohet të lë të lodhur. Dashuria ishte kur njoha atë. Kuptova se kur njeriu dashuronte, nxirrte nga brenda vetes një tjetër njeri, rilindte, krijonte një univers tjetër që t'i përshtatej dëshirave të të dyve. Dashuria ishte të harroje veten e të rindërtoje tjetrin me copat që shkëpusje prej trupit tënd. Ishte të prisje, të lodheshe, e sërish të qëndroje... *** Filluar më 31 gusht 2019 Përfunduar më 20 shkurt 2020